Blv. Zhan D'Ark, Nd. 111 · përballë maternitetit të ri· Orari: e Hënë – e Premte 07–20 · e Shtunë 07–13·Na kontaktoni: 069 800 8006•
Tirana Polyclinic

Ekzaminimet

Ekzaminimet bëhen nga specialisti gjatë vizitës, që rezultati të interpretohet menjëherë.

Elektrokardiograma (EKG)

Kardiologjia

Regjistron aktivitetin elektrik të zemrës për pak minuta. Zbulon çrregullimet e ritmit, shenjat e iskemisë dhe zmadhimin e dhomave të zemrës.

Përgatitja: Nuk kërkon përgatitje. Zgjat rreth 5 minuta dhe nuk dhemb.

Udhëzuesi i plotë: Vizita kardiologjike · Vlerësimi para operacionit →

Ekokardiografia

Kardiologjia

Ekografi e zemrës që tregon madhësinë e dhomave, forcën e tkurrjes, valvulat dhe presionet brenda zemrës. Është ekzaminimi bazë për insuficiencën kardiake dhe sëmundjet e valvulave.

Përgatitja: Nuk kërkon me barkun bosh. Zgjat 20–30 minuta.

Udhëzuesi i plotë: Ekokardiografia →

Holter EKG 24-orësh

Kardiologjia

Një aparat i vogël regjistron EKG-në gjatë gjithë ditës dhe natës, ndërsa ju vazhdoni jetën e zakonshme. Përdoret për palpitacionet, marramendjet dhe për të kapur aritmitë që nuk shfaqen gjatë vizitës.

Përgatitja: Bëni dush para vendosjes, sepse aparati nuk duhet lagur. Mbani shënim orën e ankesave gjatë regjistrimit.

Udhëzuesi i plotë: Holteri EKG →

Holter i presionit arterial 24-orësh

Kardiologjia

Një aparat i vogël me manshetë mat presionin automatikisht çdo 15–30 minuta gjatë ditës dhe natës. Tregon vlerat reale jashtë ambientit mjekësor, presionin gjatë natës dhe efektin e mjekimit; zbulon edhe “hipertensionin e bluzës së bardhë”.

Përgatitja: Vishni bluzë me mëngë të gjera. Gjatë matjes mbani krahun të qetë dhe shënoni orët e gjumit, të mjekimit dhe të ankesave.

Udhëzuesi i plotë: Hipertensioni arterial →

Gastroskopia dhe kolonoskopia

Gastro-hepatologjia

Ekzaminimi i stomakut (gastroskopia) dhe i zorrës së trashë (kolonoskopia, sigmoidoskopia) me sondë endoskopike. Gjatë ekzaminimit mund të merren biopsi, të testohet Helicobacter pylori dhe të hiqen polipet e zorrës së trashë.

Prof. Asoc. Dr. Klerida Shehu, endoskopia digjestive (gastroskopia)
Përgatitja: Gastroskopia: me barkun bosh për 6–8 orë. Kolonoskopia: dietë e lehtë një ditë më parë dhe pastrimi i zorrës sipas udhëzimeve që ju jep mjeku gjatë rezervimit. Tregoni nëse merrni barna kundër mpiksjes së gjakut.

Udhëzuesi i plotë: Gastroskopia · Kolonoskopia →

Ekografia abdominale

Gastro-hepatologjia

Ekografi e organeve të barkut: mëlçia, fshikëza e tëmthit, pankreasi, shpretka dhe veshkat. Është ekzaminimi bazë për steatozën hepatike, gurët e tëmthit dhe ndryshimet në analizat e mëlçisë. Pa rrezatim.

Përgatitja: Ejani me barkun bosh: pa ngrënë për 6–8 orë. Mund të pini pak ujë. Merrni barnat e zakonshme me pak ujë.

Ekografia Doppler/Triplex e enëve të gjakut

Radiologjia diagnostikuese

Vlerëson arteriet dhe venat: ngushtimet nga ateroskleroza (p.sh. karotidet), trombozën e venave të thella dhe variçet. Kryhet nga Dr. Erald Vasili, imazherist. Pa rrezatim.

Përgatitja: Për enët e qafës dhe të gjymtyrëve nuk kërkon përgatitje. Për enët e barkut ejani me barkun bosh 6–8 orë.

Udhëzuesi i plotë: Ekografia Doppler vaskulare →

Ekografia e gjirit

Radiologjia diagnostikuese

Vlerëson një kokërr ose ndryshim në gji dhe dallon kistet nga masat solide. Kryhet nga Dr. Erald Vasili, imazherist. Pa rrezatim, e sigurt edhe në shtatzëni.

Përgatitja: Nuk kërkon përgatitje. Sillni mamografitë dhe ekografitë e mëparshme për krahasim.

Udhëzuesi i plotë: Ekografia e gjirit →

Ekografia e tiroides

Endokrinologjia

Ekografi e gjëndrës tiroide që mat madhësinë e saj dhe vlerëson nyjet sipas klasifikimit TI-RADS. Ndihmon në vendimin nëse një nyje duhet ndjekur apo biopsuar. Pa rrezatim.

Përgatitja: Nuk kërkon përgatitje. Shmangni varëset dhe rrobat me jakë të lartë.

Udhëzuesi i plotë: Ekografia e tiroides →

Interpretimi i imazherisë

Të gjitha specialitetet

Grafitë, skanerët (CT) dhe rezonancat magnetike (MRI) që keni bërë në qendra të tjera imazherie i interpreton specialisti, në lidhje me ankesat dhe gjendjen tuaj klinike. Në klinikë nuk kryhen ekzaminime me rrezatim.

Përgatitja: Sillni imazhet (CD ose lidhjen e shkarkimit) dhe përgjigjen e radiologut, si edhe ekzaminimet e mëparshme për krahasim.

Analizat laboratorike

Të gjitha specialitetet

Marrja e gjakut për analiza bëhet në klinikë. Rezultatet i shqyrton specialisti dhe ju shpjegon çfarë do të thonë për ju.

Përgatitja: Për glicemi, profil lipidik dhe disa analiza të tjera ejani me barkun bosh (8–12 orë pa ngrënë; uji lejohet). Merrni barnat e zakonshme, përveç kur mjeku ju ka thënë ndryshe.

Udhëzuesi i plotë: Marrja e mostrave · Si të kuptoni analizat →

Ekografia artikulare

Reumatologjia

Ekografia e nyjeve dhe tendinave tregon lëngun në nyje, inflamacionin e membranës sinoviale, erozionet dhe kristalet. Bëhet gjatë vizitës reumatologjike, pa rrezatim.

Përgatitja: Nuk kërkon përgatitje. Vishni rroba që lejojnë zbulimin e nyjes që do ekzaminohet.

Infiltrimi intra-artikular

Reumatologjia

Injektim i barit (kortikosteroid ose acid hialuronik) direkt në nyje për të ulur dhimbjen dhe inflamacionin. Kur bëhet nën udhëheqjen e ekografisë, gjilpëra arrin saktë në vendin e duhur.

Përgatitja: Tregoni mjekut nëse merrni barna kundër mpiksjes së gjakut ose nëse keni diabet. Pas infiltrimit, nyja pushohet për 24–48 orë.

Çfarë të sillni në vizitë

  • analizat dhe ekzaminimet e mëparshme (edhe në celular)
  • listën e barnave që merrni, me dozat
  • letërnjoftimin
  • për Holter-in EKG dhe të presionit: veshje të lehtë, bluzë me mëngë të gjera
  • për ekografinë abdominale: ejani me barkun bosh (6–8 orë pa ngrënë)

Keni nevojë për një vizitë?

Na telefononi ose rezervoni online. Ju kthejmë përgjigje brenda orarit të punës.